Njësitet policore kundër krimit të organizuar kanë zhvilluar një aksion në Prishtinë e Pejë, me ç’rast janë vënë në pranga dhjetë persona të dyshuar, kurse edhe gjashtë të tjerë mbeten në kërkim policor.
Policia me urdhëresë të Prokurorisë e Gjykatës përveç që ka arrestuar disa persona të dyshuar edhe ka kryer kontrollin e disa lokacioneve.
Kjo për shkak të dyshimit se ata ishin të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.
Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.
Gjatë operacionit janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione (vendbanime dhe lokale), janë ndaluar dhjetë (10) persona me aktvendim mbi ndalimin si dhe janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë (15) të tjerë, në cilësinë e të dyshuarve.
Këta të fundit, janë liruar në procedurë të rregullt, pasi të njëjtit janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online.
Gjatë kontrollit edhe gjashtë (6) të dyshuar tjerë nuk janë hasur në lokacionet e tyre, andaj të njëjtit mbeten në kërkim policor.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Para të gatshme – 4,423.00 euro, 2 aparate të lojërave të fatit, 25 telefona mobilë, 2 kompjuterë laptop, 2 DVR si dhe materiale/dokumente relevante për rastin.
Me urdhër të prokurorit kompetent, dhjetë (10) të dyshuarit e arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.
NJOFTIMI I PLOTË NGA POLICIA:
Drejtoria kundër Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës vë në pranga dhjetë (10) persona të dyshuar, gjashtë të tjerë mbeten në kërkim policor
Prishtinë, 6 prill 2023
Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, në kuadër të Policisë së Kosovës, me autorizim të Prokurorit të Shtetit – Prokuroria Speciale e Kosovës dhe në mbështetje të njësive të specializuara policore (NJRSH, njësitë e Krim teknikës) ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, për arrestimin e personave të dyshuar dhe kontrollin e disa lokacioneve, për shkak të dyshimit se personat e dyshuar kanë qenë të përfshirë në veprat penale ‘krim i organizuar’, ‘organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Operacioni policor është realizuar në dy rajone të Republikës së Kosovës (Prishtinë dhe Pejë).
Ky operacion policor është zhvilluar pas hetimeve disa mujore, ku personat e dyshuar në bashkëveprim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprat penale të lartcekura për një periudhë të gjatë kohore.
Gjatë operacionit janë kontrolluar dymbëdhjetë (12) lokacione (vendbanime dhe lokale), janë ndaluar dhjetë (10) persona me aktvendim mbi ndalimin si dhe janë intervistuar edhe pesëmbëdhjetë (15) persona të tjerë në cilësinë e të dyshuarve të cilët lirohen në procedurë të rregullt, të njëjtit janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave të bixhozit online.
Gjatë kontrollit edhe gjashtë (6) të dyshuar tjerë nuk janë hasur në lokacionet e tyre, andaj të njëjtit mbeten në kërkim policor.
Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
Para të gatshme – 4,423.00 euro.
Aparatet e lojërave të fatit – 2 copë
Telefona mobilë – 25 copë
Kompjuterë laptop – 2 copë
DVR – 2 copë si dhe
Materiale/dokumente relevante për rastin.
Me urdhër të prokurorit kompetent dhjetë (10) të dyshuarit e arrestuar dërgohen në mbajtje për 48 orë.


