Policia e Kosovës njofton se një person kishte shkuar të kërkonte ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit në Gjilan, si pasojë e lëndimeve që kishte marrë në një aksident trafiku, por atij i kishte rënë nga rrobat 15.4 gramë kokainë.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur të shtunën, rreth orës 20:15 dhe është iniciuar si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
“I dyshuari mashkull kosovar kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e spitalit si pasojë e lëndimeve te pësuar në një aksident trafiku. Gjatë ekzaminimit mjekësor është vërejtur se pacientit i kishte rënë nga rrobat një substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë. Njësia policore në vendin e ngjarjes ka konfiskuar substancën narkotike e cila pas matjes ka rezultuar me peshë 15.4 gram”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, lidhur me rastin prokurori kujdestar nuk ka marrë vendim për ndalimin e të dyshuarit për shkak të natyrës së lëndimeve trupore tek i dyshuari, kurse rasti vazhdon të jetë nën hetime.


