Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në Ferizaj, ku një person 28-vjeçar ka humbur jetën.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit, në rrugën magjistrale Ferizaj – Prishtinë, saktësisht në fshatin Muhovc.
“Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës. Automjeti i tipit Fiat me targa vendore, që drejtohej nga një mashkull 28-vjeç, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë e trafikut rajonal të Ferizajt, autoambulanca dhe zjarrfikësit, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e menjëhershme të drejtuesit të veturës.
Për të gjitha veprimet e mëtejshme hetimore është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa rasti po trajtohet nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj.