Një person rreth 65 vjeç ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ndodhi sot, më 22 qershor 2025, në lagjen “Cakaj” të fshatit Mirosalë të Ferizajt.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, rreth orës 12:15, një veturë e tipit Golf me targa vendore ka goditur një shtyllë elektrike.
Në vendin e ngjarjes, siç tha Veseli, është gjetur një person brenda veturës, fillimisht pa shenja jete të qarta. “Menjëherë janë njoftuar emergjenca, njësia e zjarrfikësve dhe Njësia e Komunikacionit Rrugor,” theksoi ai. Për shkak të dëmtimit të shtyllës dhe rrëzimit të telave, është njoftuar edhe KEDS për ndërhyrje në vendin e ngjarjes.
Rreth orës 12:37, mjeku kujdestar nga emergjenca e Ferizajt ka konstatuar vdekjen e viktimës, e identifikuar si S. B., 65 vjeç. Veseli po ashtu njoftoi se “për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit,” ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vazhdojnë.