Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të ekzekutojë pagat për mësimdhënësit që ishin në grevë në shtator, ndërsa nuk është marrë fare me deklaratën problematike të kreut të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili thotë se nuk pranon të zëvendësohen orët e humbura.
Në një reagim të lëshuar të mërkurën, AKK thekson se me kujdes po përcjell situatën duke pranuar shqetësimet e Komunave, Kryetarëve të Komunave dhe Kolegjiumit të Drejtorëve Komunal të Arsim, për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MPFT).
“Bordi rithekson se Komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. MFTP-ja është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast Komunave. Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit”, thuhet në reagim.
Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani.
“Komunat e Kosovës, padrejtësisht edhe kësaj radhe po goditen në këtë garë të panevojshme ku humbësit më të mëdhenj janë nxënësit e Kosovës. Mos ekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Por në gjithë reagimin e tyre, Bordi i AKK-së askund nuk përmend se çfarë duhet të ndodh me orët e humbura gjatë grevës dhe nuk merret me deklaratën problematike të kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili del kundër vendimit të ministrisë për zëvendësimin e orëve.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), njoftoi dje se orët e humbura gjatë grevës në arsim, do të zëvendësohen dhe për këtë ministrja Arbërie Nagavci tha se i ka Ministrisë së Financave, që të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans për mësimdhënësit që do të respektojnë këtë vendim.
Por kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka dhënë një deklaratë që mund të rrezikojë e t’i lë mësimdhënësit pa paga.
Jasharaj ka thënë ka thënë të martën se mësimdhënësit në vend nuk do ta respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit për zëvendësim të orëve të humbura si pasojë e grevës./KosovaNews/
Për më shumë në linkun: