Agjencia e Kosovës për Akreditim, ka njoftuar se Drejtori Naim Gashi, të hënën ka pranuar një letër nga drejtoresha e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), Anna Gover me të cilën konfirmohet se është pranuar aplikacioni i Agjencisë së Akreditimit për Statusin anëtar “affiliate”, transmeton KosovaNews.
“Kam kënaqësinë t’ju informoj se në mbledhjen e 20 shtatorit 2022, Bordi i ENQA-s shqyrtoi aplikacionin tuaj për anëtarësim në ENQA dhe vendosi t’i japë AKA statusin e ‘affiliate’ në ENQA”, shkruan në letrën e drejtoreshës së ENQA, drejtuar drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim Naim Gashi.

Në njoftimin që ka marrë drejtori Gashi thuhet se nga dita e sotme Agjencia e Kosovës për Akreditim mund ta përdor logon e ENQA në të gjitha vendimet dhe komunikimet e saj, brenda territorit të Kosovës por edhe në komunikim ndërkombëtar.
AKA konsideron se kjo është një e arritur e jashtëzakonshme nga e cila do të përfitojnë studentët, të diplomuarit, komuniteti akademik dhe shteti i Kosovës në përgjithësi.
Sipas tyrem vendimi i sotëm është një garanci kredibile për cilësinë në arsimin e lartë dhe lehtëson procesin e njohjes së diplomave të studentëve dhe të diplomuarve në vendet evropiane.
Po ashtu, duke e bërë të ditur se ky vendim lehtëson procesin e shkëmbimit të studentëve dhe profesorëve me vendet evropiane dhe më gjerë, Agjencia e Kosovës për Akreditim njofton se tashmë është vetëm edhe një hap larg për tu bërë anëtare me të drejta të plota e ENQA.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të AKA-s: