Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka uruar klubet që do ta përfaqësojnë vendin në garat evropiane, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe përmirësimit të koeficientit në UEFA për të siguruar pjesëmarrje të rregullt me katër ekipe.
“Në përfundim të këtij edicioni të garave dua të shpreh urimet e mia më të përzemërta për katër klubet që do ta përfaqësojnë Kosovën këtë vit në arenën evropiane: FC Drita në UEFA Champions League, FC Prishtina në UEFA Europa League, si dhe FC Ballkani dhe FC Malisheva në UEFA Europa Conference League. Uroj që të kenë short të favorshëm dhe të arrijnë sa më shumë suksese, duke e përfaqësuar denjësisht futbollin dhe vendin tonë. Objektivi ynë i përbashkët është që ta ruajmë dhe përmirësojmë koeficientin tonë në UEFA, në mënyrë që edhe në të ardhmen të kemi katër klube pjesëmarrëse në Evropë”, ka shkruar Ademi.
Ai ka përgëzuar edhe ekipet tjera për angazhimin gjatë sezonit, duke veçuar Feronikelin 74 dhe Suharekën për luftën e fortë sportive deri në fund të kampionatit.
“Përgëzoj gjithashtu edhe ekipet tjera për një kampionat të fortë dhe dinjitoz, me theks të veçantë Feronikelin 74 dhe Suharekën, të cilat deri në minutat e fundit të edicionit treguan shpirt luftarak dhe mbajtën ritmin e lartë e emocionet e garës. Ju dëshiroj shumë fat dhe rikthim sa më të shpejtë në Superligën e Kosovës”, ka shkruar ai.
Ademi nuk ka lënë pa përmendur edhe skuadrat që nuk arritën objektivat këtë edicion, duke i inkurajuar për më shumë përkushtim në të ardhmen.
“Klubet që nuk i realizuan objektivat këtë edicion i inkurajoj që të punojnë edhe më shumë në drejtim të forcimit të organizimit dhe strukturës së tyre, sepse gara nuk mbaron kurrë dhe suksesi ndërtohet me punë të përditshme dhe përkushtim maksimal.
Suksese të gjithëve!” thënë kreu i FFK-së.