Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abixhiku, ka bërë të ditur se këtë të shtunë do të mbahet mbledhja e LDK-së, ku anëtarësia do të diskutojë dhe do të vendosë për të gjitha çështjet e brendshme të partisë.
Përmes një postimi, Abixhiku ka theksuar se LDK nuk i shmanget garës, debatit dhe votës, duke nënvizuar se vendimet e saj janë marrë gjithmonë në Kuvend, hapur dhe me shumicë, edhe në periudha shumë më të vështira se aktualja.
“Sërish do të veprojmë njësoj, hapur, me debat dhe pa frikë. Koha tani të flasë anëtarësia jonë”, ka deklaruar ai.
Abixhiku ka bërë të ditur se tashmë ka dërguar ftesat zyrtare për delegatët e LDK-së, ndërsa ka shtuar se procesi i së shtunës do ta nxjerrë partinë më të fortë, më të organizuar dhe më të përqendruar drejt së ardhmes së LDK-së dhe të Kosovës.
“Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, ka përfunduar Abixhiku.



