Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mosveprimi i Prokurorisë Speciale për kontratat njëburimore është aprovim i asaj që ka ndodhur.
Abdixhiku ka përsëritur edhe një herë tenderët që ai i ka quajtur sekret e që janë nënshkruar gjatë kësaj qeverisje.
“Ajo çfarë realisht po provojmë të bëjmë këtu është përshkrimi i një fenomeni të shpërndarë në të gjithë sistemin publik të Kosovës. Kjo praktikë ka një emër dhe kësaj i thonë tender sekret. Kjo praktikë ne tri vjet është bërë 781 herë. Në shtetin e Kosovës, 781 tenderë sekretë janë dhënë për tri vjet e vlera e tyre është 209 milionë euro. I bie që çdo ditë pune në aparatin shtetëror të pushtetit jepen tenderë. Një tender sekret në ditë pune. Kjo praktikë po rritet. Atë që ne e kemi bërë si parti është kërkimi i listës së tenderëve sekretë dhe në këtë listë janë dy fenomene. E para ka të bëjë me KEK-un. Besoni ose jo, kjo korporatë ka negociuar 112 here për shpërndarje të parasë publike me vlerë 102 milionë euro. 13 herë një kompani e vetme ka marrë tender sekret. Ose në Ministrinë e Jashtme 15 milionë euro për shërbime të IT-së. Kur procedura ka qenë e hapur çmimi ka qenë 9.5 milionë. Kanë ardhur në pushtet, kanë nënshkruar tenderë, kanë negociuar dhe kanë dhënë tenderë 15 milionë euro. Mosveprimi i ProkurorisëSpeciale këtu është aprovim i asaj që ka ndodhur. Po thuhet, e para ‘që kanë bërë edhe të tjerët, po vjedhim po po vjedhim më pak’. Hajnia është hajni. E dyta, po thoni se kjo temë është e parëndësishme. Nëse është e parëndësishme pse jeni këtu në Kuvend”, ka thënë Abdixhiku para deputetëve.