Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me situatën e zgjatur politike në vend. Ai theksoi se nesër do të jetë hera e 15-të që Kuvendi mblidhet pa rezultat, ndërsa vendi mbetet pa institucione funksionale tre muaj pas zgjedhjeve.
Abdixhiku kritikoi përsëritjen e procedurave parlamentare pa përfundim dhe theksoi se kriza nuk është vetëm politike, por edhe ekonomike e sociale, duke përmendur çmimet e larta, pagat e ulëta dhe mungesën e investimeve madhore.
Sipas tij, është e qartë se asnjë parti nuk ka shumicë dhe se vendi ka nevojë për një zgjidhje përtej interesave partiake. Ai rikujtoi propozimin e LDK-së për një Qeveri Nacionale të Tranzicionit, me mandat të kufizuar deri në zgjedhjen e Presidentit, si një mënyrë për të adresuar urgjentisht nevojat e qytetarëve.
“Jo për ta ndarë pushtetin, por për ta zgjidhur krizën institucionale”, u shpreh Abdixhiku, duke shtuar se kjo mbetet propozimi i vetëm konkret në skenën politike deri më tani.
Ai bëri të ditur se LDK-ja do ta paraqesë këtë propozim edhe në takimin e ftuar nga Presidentja, ndërsa ftoi për ide të reja dhe vullnet për bashkëpunim.