Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, gjatë vizitës së saj të parë në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi, Abdixhiku theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Sipas tij, këto masa nuk po ndikojnë vetëm në qeveri, por po e dëmtojnë drejtpërdrejt popullin e Kosovës.
“Sot, takova Përfaqësuesen e Lartë, zv.presidenten e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, në vizitën e saj të parë në Prishtinë.
I shpreha qëndrimet e LDK-së mbi domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Republikës së Kosovës. Këto masa më shumë se një Qeveri, dëmtojnë vet popullin e Kosovës. I shtrova dhe pikëpamjet tona mbi procesin e dialogut dhe të ardhmen që na pret.
E njoftova mbi krizën aktuale politike në vend dhe propozimin e LDK-së për qeverinë gjithëpërfshirëse si ide e vetme funksionale sot.
Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës kërkon besim politik, kërkon guxim vendimmarrës, siç dhe kërkon një Bashkim Evropian që ofron vizion dhe të ardhme për popullin e Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.