Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka komentuar videot, në të cilat shihen disa policë të Malit të Zi duke keqtrajtuar profesorin universitar shqiptar Petraq Milo në kufi mes Malit të Zi e Shqipërisë.
Abazoviq ka thënë se “jo gjithçka është siç shihet në video”.
“Në video keni xhirimin kur automjetit i janë afruar disa policë. Para kësaj kishte disa veprime, që duhet të konstatohen, e disa shkelje, prandaj ka ndodhur ky problem”, ka thënë Abazoviq, raportin “Vijesti”.
Megjithatë Abazoviq ka thënë se masat ishin marrë qysh në momentin kur ndodhi ngjarja më 15 janar.
“I kam parë incizimet qysh më 15 janar, ne atëherë kemi ndërmarrë veprime. Nuk mund të jenë pjesë e shërbimit policët që kanë probleme të caktuar dhe kjo do të zgjidhet”, ka thënë Abazoviq.
Abazoviq ka dhënë edhe një mesazh për tolerancë.
“Apeli im për të gjithë, veçanërisht policët, është që të jemi tolerantë. Por, njerëzit që e tejkalojnë autoritetin e tyre duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate”, ka thënë Abazoviq, duke shtuar se tortura policore nuk do të tolerohet.
Sipas pamjeve, një polic e nxjerr me forcë nga makina shtetasin e huaj, i cili nuk bën rezistencë dhe keqtrajtohet.
Policia malazeze tha se pamjet e “keqtrajtimit të një shtetasi shqiptar”, të publikuara më 21 shkurt, i referohen një ngjarjeje të 15 janarit në pikën kufitare të Sukobinës.
Policia tha se po heton punonjësit e saj në lidhje me incidentin.
Partia shqiptare në Mal të Zi, Alternativa Shqiptare, tha se bëhet fjalë për shtetasin shqiptar, Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë për financat publike dhe politikën monetare.