Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë me një propozim katër-pikësh për ta kthyer normalitetin në veriun e Kosovës.
AAK-ja i kërkoi Qeverisë që të marrë vendim për shtyrje të vendimit për targat deri “në marrëveshje finale”.
“Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar”, thuhet në propozimin e partisë opozitare
Tutje, u propozua që të kërkohet një samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri në përmbylljen e marrëveshjes finale.
“Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit. Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend”, thuhet tutje.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ftuar për takim të hënën subjektet politike, që të diskutohet shpallja e zgjedhjeve në veri të vendit.


