Situata e tensionuar në veri pas dorëheqjeve të nxitura nga Lista Serbe, ka bërë që krerët e partive opozitare si nga LDK, PDK e AAK te shprehen ditëve të fundit të shqetësuara, ndërsa në një formë kanë fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe jo Serbinë, duke përdorë edhe këtë radhë sikur në Qeverinë Kurti 1, kartën e bashkëpunimit me Amerikën.
Madje tri ditë më parë shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e Listës Serbe do të krijohet vakum kushtetues.
Sipas tij, në këtë situatë zgjedhjet e përgjithshme do të mund të ishin zgjidhja.
“Dorëzimi i mandateve nga Lista Serbe është shumë problem, pasi KQZ-ja duhet të trajtojë persona të tjerë që janë në lista e ata nuk do të pranojnë të marrin mandate, do të vijmë në një situatë kur Kuvendi nuk do të ketë 120 deputetë, do të kemi vakum kushtetues … Ajo që po shohim është se çështja është ndërlikuar shumë dhe ndoshta zgjedhjet do të ishin zgjidhje”, ka theksuar Tahini, në deklarimin pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur me 7 nëntor.
Ndërkohë pas kësaj kërkese për zgjedhje, AAK duket se ka ndërruar mendje dhe është pishman e nuk dëshiron që vendi të shkojë në zgjedhje.
Kështu ka lënë të nënkuptohet vetë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje, por kryeministri Albi Kurti duhet të fokusohet tek marrëveshja me Serbinë si dhe në anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Besoj që nuk është në rregull të shkojë Kosova në zgjedhje, nuk është në rregull me ra kjo Qeveri, nuk ka nevojë me ra kjo Qeveri. Ne kemi një projekt mjaft të rëndësishëm para vetes, kjo është Qeveri e Kosovës ekzistuese. Duhet ta gjejnë guximin në vete, ta ndjejë përgjegjësinë që ka, që t’ia sjellë një marrëveshje me Serbinë që ka në përmbajtje njohjen dhe ta nisë Kosovën drejt NATO-s. Kjo është ajo që pret qytetari nga Kurti”, deklaroi në tëvë1, Haradinaj.
Më tej, Haradinaj tha se Kurti nuk mund ta zgjedhë problemin e energjisë, pasi sipas tij, ai ka pasur politikat e gabuara në këtë drejtim.
“E dimë që Kurti politikat ekonomike i ka të këqija”, theksoi Haradinaj mes tjerash.
Kujtojmë se situata mori kahje të tensionimit pasi zyrtarët serbë në veri të Kosovës ditëve të fundit kanë paraqitur dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe dhe kthimin e tyre në RKS.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë këto ditë u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet e Kosovës, pasi në këtë mënyrë, sipas tij, dobësojnë shërbimet për qytetarët.
Sipas Kurtit, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti është shprehur se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”./KosovaNews/


