Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se deri tani, zyrtarisht nuk ka informacione për shtetas shqiptarë që të kenë humbur jetën nga tërmeti që goditi Turqinë të hënën.
“Nuk kemi asnjë informacion për qytetarë me nënshtetësisë shqiptare që të kenë qenë pjesë e zonave të prekura apo që të kenë humbur kontaktet. Kemi pasur informacion për 10 familje me origjinë shqiptare, të parët e tyre të zhvendosur në Turqi 100 vjet përpara, të cilët fatmirësisht janë në kontakt me të afërmit e tyre, pa çka se e kishin humbur më parë”, tha ministrja gjatë një konference për mediat pas mbledhjes së qeverisë.
Numri i viktimave nga tërmetet shkatërrimtare në Turqi dhe Siri ka kaluar 11 mijë. Shifrat zyrtare të autoriteteve të të dyja vendeve tregojnë se saktësisht deri tani janë konfirmuar 11 104 persona që kanë ndërruar jetë.
Në Turqi, numri i viktimave është rritur në mbi 8500, ndërsa 50 mijë të tjerë raportohet të kenë mbetur të plagosur. Shifrat i konfirmoi Presidenti Recep Tayyip Erdogan të mërkurën, pasi vizitoi zonat e prekura.


