Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar të mërkurën se numri i të vdekurve si pasojë e tërmetit shkatërrues të së hënës, ka arritur në 8754 vetëm në Turqi. Duke shtuar edhe rreth 2470 sa raportohet të kenë vdekur në Siri, numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur në mbi 11 mijë e 200.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se numri i vdekjeve mund të arrijë deri në 20 mijë. Një tërmet i ngjashëm në rajon më 1999 pati marrë jetën e 17 mijë personave.
Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve, të cilët tashmë kanë më shumë se 48 orë nën rrënoja dhe shanset për t’i nxjerrë gjallë bëhen gjithnjë e më të pakta për shkak dhe të temperaturave të ulëta.
E gjithë bota është angazhuar për ndihmë, ndërkohë që ekipe kërkimi kanë mbërritur edhe nga Meksika.
Në solidarizim të viktimave të këtyre tërmeteve shkatërrimtar të gjithë flamujt e vendeve të NATO në selinë në Bruksel janë ulur në gjysmështizë, teksa edhe Kosova e ka shpallur ditën e sotme zi kombëtare.
Në një bilanc paraprak, organizata UNICEF vlerëson se vetëm në Siri kanë nevojë për ndihmë 7 milionë fëmijë, ndërkohë që ka dhjetëra shkolla dhe spitale të shkatërruara.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, shprehet se kjo është një prej fatkeqësive më të mëdha në rajonin tonë dhe në botë, jo vetëm në historinë e Turqisë.