Në Turqi dhe Siri, si pasojë e tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit, janë vrarë mbi 8.700 persona.
Zyrtarët thanë më 8 shkurt se 6.234 persona janë konfirmuar se janë vrarë në Turqi dhe 2.470 në Siri. Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit kanë vazhduar të kërkojnë për të mbijetuar të tërmeteve të fuqishme.
Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Po ashtu, gjatë po asaj dite, u regjistrua një tërmet tjetër i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit janë në garë me kohën për gjetjen e të mbijetuarve, të cilët tashmë kanë më shumë se 48 orë nën rrënoja dhe shanset për t’i nxjerrë gjallë bëhen gjithnjë e më të pakta për shkak dhe të temperaturave të ulëta.
E gjithë bota është angazhuar për ndihmë, ndërkohë që ekipe kërkimi kanë mbërritur edhe nga Meksika.
Në solidarizim të viktimave të këtyre tërmeteve shkatërrimtar të gjithë flamujt e vendeve të NATO në selinë në Bruksel janë ulur në gjysmështizë, teksa edhe Kosova e ka shpallur ditën e sotme zi kombëtare.
Në një bilanc paraprak, organizata UNICEF vlerëson se vetëm në Siri kanë nevojë për ndihmë 7 milionë fëmijë, ndërkohë që ka dhjetëra shkolla dhe spitale të shkatërruara.