Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq bëri të ditur se e ka falënderuar për angazhimin konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së që ditë më parë ishin për vizitë në Serbi, për intensifikimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje.
Blinken në një postim në Twitter thotë se e ka falënderuar Vuçiqin edhe për hapjen ndaj propozimit të BE-së.
“Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin e SHBA-së dhe BE-së javën e kaluar dhe për hapjen e tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”, tha Blinken.
I spoke with @predsednikrs Aleksandar Vucic today to thank him for his constructive engagement with the U.S.-EU team last week and for his openness to the EU proposal for securing peace and stability in the region, which is essential for securing Serbia’s European future.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) February 1, 2023
Biseda midis Vuçiqit dhe Blinkenit vjen një ditë para se Parlamenti serb, përmes një seance të posaçme, të diskutojë për Kosovën.
Në këtë seancë pritet që deputetëve serbë t’iu prezantohet një raport për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, në këtë raport nuk pritet të përfshihet plani evropian apo i njohur edhe si plani franko-gjerman.
Ky plan, që ka mbështetjen edhe të SHBA-së, synon të ndihmojë palët që të ecin drejt normalizimit të plotë të raporteve.
Vuçiq ka deklaruar se nuk ka një afat kohor që të pranohet ky plan, duke theksuar se nuk mendon“se dikush në Serbi do të jetë i lumtur me këtë plan”.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët ka deklaruar se plani evropian është një bazë e mirë për të shkuar drejt një marrëveshjeje finale.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime, me ndërmjetësimin e BE-së, proces që mbështetet edhe nga Uashingtoni.
Ky proces synon normalizimin e plotë, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Megjithatë, Kosova dhe Serbia kanë dallime për përfundimin e dialogut. Kosova kërkon që një marrëveshje eventuale të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia insiston në një zgjidhje kompromisi – pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.


