Pas arrestimit të zyrtarëve komunalë në Lipjan nën dyshimet për dallavere lidhur me punimet në stadiumin e futbollit në Magurë, asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e Kuvendit të martën ia kanë ndarë kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, një kupë të kampionit për “korrupsion” dhe disa topa të futbollit.
“Kemi vendosur ta ndajmë një çmim për korrupsion. Kemi vendosur ta shpallim kryetarin e komunës kampion të korrupsionit, pasi për krejt ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, mendojmë se e meriton këtë çmim”, ka thënë asamblisti Alban Salihu.
Pas aksionit të opozitës, kryetari Ahmeti ka thënë se “është mirë që s’po gjuajnë me vezë”.
Prokurori i Shtetit, ditë më parë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente, ndaj nëntë personave (zyrtarëve publik) të Lipjanit, për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” si dhe “Mashtrimi”.
Nëntë zyrtarët e Lipjanit u arrestuan për mashtrim e keqpërdorim të 300 mijë eurove.



