Presioni që po i bëhet Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka nxitur reagime të shumta, sidomos sot.
Këtë radhë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili tha se nëse fornohet asociacioni një-etnik, kërkesa e radhës do të jetë Republika Serbe.
“Fillimisht ishte decentralizimi mbi baza etnike. Pasuan përgjegjësitë e zgjeruara për komunat me shumicë serbe nga Plani i Ahtisaarit. Pastaj erdhën marrëveshjet e Brukselit që shtuan përgjegjësi në gjyqësor, energjetikë dhe të tjera. Tash po këmbëngulet në Asociacion një-etnik dhe dimension territorial. Serbia nuk do të ndalet, nëse themelohet Asociacioni, kërkesa e radhës do të jetë Republika Serbe”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, për ta lexuar strategjinë e Serbisë, nuk duhet ndonjë profeci e madhe, mjafton të kthehemi pak mbrapa.
Ai kujtoi se sa herë që shteti i Kosovës ka bërë lëshime ndaj Serbisë, ajo nuk është ndalur, por i ka shtuar apetitet.
“Kompromiset tona nuk i kuptuan si gjenerozitet, por vetëm si dobësi. Serbinë duhet ta ndalim sot, në të kundërt nuk do të ketë kuptim ta ndalim më vonë sepse nuk do të ketë më Kosovë”, ka thënë ai.
Kohën e fundit faktori ndërkombëtar është duke rritur trysninë mbi Kosovën për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeveria e Kosovës vazhdon të kundërshtoj një krijim të tillë që bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Ndërkohë që Qeveria po kundërshton, faktori ndërkombëtar po planifikon takime me subjektet politike nga opozita dhe shoqëria civile për këtë çështje.
Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është nënshkruar 10 vjet më parë. Por, ajo nuk është zbatuar asnjëherë. Atë e nënshkruan krerët e Qeverisë që udhëhiqej nga koalicioni LDK- PDK.


