Javë më parë, LDK-ja publikoi një lajm se deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me në krye kryetarin e saj, janë kërcënuar me vrasje, por sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, nuk ofruan transparencë kështu duke vënë edhe dyshimin për lojë të ulët politike.
“Nuk ofruan transparencë. Nuk po e ofrojnë as tani, duke e kristalizuar kështu edhe dyshimin për lojë të ulët politike, por edhe dëshmi e nevojës së përdorimit të ‘vetëviktimizimit’ si mjet politik për të kompensuar brishtësinë e lidershipit e shfaqur progresivisht muajve të fundit”, tha Bajqinovci.
Ai tutje thotë se percepsioni mund të jetë i lidhur edhe me projeksione politike për kuota më të larta në tregun politik përmes shkollës ballkanike politike të ‘vetëviktimizimit’, por për të qenë korrekt me faktet, kërkuan nga policia dhe nga vet LDK-ja të njoftojë opinionin me zhvillimet e reja rreth kësaj teme.
Bajqinovci ndër të tjerash tha se Kosova ka nevojë për një mjedis të shëndosh demokratik, ku partitë i ballafaqojnë idetë, ekipet dhe liderët e tyre politik duke u munduar t’iu ofrojë qytetarëve përfaqësim sa më të mirë politik.
“Flisni të nderuar. Ne po u presim. Duam të ju dëgjojmë çfarë keni për të thënë për këtë. A doni me i shku Albin Kurtit tek shtëpia?”, përfundoi deputeti Bajqinovci.


