Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, është përgjigjur ndaj kritikave të opozitës në Kuvend mbi Qeverinë lidhur me situatën në veri dhe negociatat me Serbinë.
Kusari-Lila ka reaguar pasi nga opozita u tha se për herë të parë janë ndalur ose shtyrë zgjedhjet në veri të vendit. Ajo ka thënë se për herë të parë është ndalë referendumi serb në Kosovë, janë ndalë zgjedhjet serbe të Serbisë të mbahen në Kosovë dhe se për herë të parë është pamundësuar Lista Serbe të ketë fitore të pakontestueshme në katër komunat në veri.
Ndërkohë, ka përmendur negociatat e dikurshme mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiqit për një marrëveshje.
“Është për çudi se si gjithë ky reagim dhe mllef dhe ky mobilizim kundër kryeministrit të vendit, Qeverisë në përpjekjet për të ndalë, për të rikthyer dhe rikuperuar gjithë dëmin që iu bë Kosovës në procesin e negociatave. Do duhej të kemi përpjekje më të mëdha, të japim krah më të fortë në mënyrën si e përfaqësojmë vendin në atë që po kërkohet nga të gjithë, marrëveshje. A po mendoni se ky Vuçiq me të cilin deklarohej ose thuhej më herët se nuk jemi njerëz problematikë, se kemi me ardhë në marrëveshje, se në marrëveshje e ne fotografi dilnim edhe me Putinin, ka pasur mundësi me e sjellë një marrëveshje me njohje të Kosovës? Ka pasë mundësi të sjellë një marrëveshje që nuk e nënkupton copëtimin e Kosovës dhe dezintegrimin e Kosovës”.
Kusari-Lila ka përmendur edhe takimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me Milan Radojçiq në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se kur kjo pati ndodhur partitë nuk patën reaguar siç po reagojnë tash kur është ndalur krimi në veri.
“Po thoni se veriu nuk është normal. Po, sepse veriu nuk ka pasur kurrë normalitet kur udhëhiqet dhe kur bosi i veriut është Milad Radojçiqi dhe Zvonko Veselinoviqi. Kur këta të dy janë pritë në zyre të Qeverisë e në anën tjetër kanë persekutuar jo vetëm njerëzit e vetë por krejt çka është e mundur në keqpërdorim e krim. Kur kjo iu pamundësua atyre, gjithë ky reagim. Ku është reagimi për të thënë se ne nuk pranojmë të ulemi e të bisedojmë me kriminelë”.
Kusari-Lila ka folur edhe për ambasadorin Martin Berishaj.
“Sa i përket rastit të intervistimit të ambasadorit Martin Berishaj. Pozita nuk e parandaluar punën e komisionit hetimor për energjinë. Pozita e ka mundësuar, pa ne nuk do të mund ta mbanit as edhe një mbledhje të vetme sepse nuk keni pasur kuorum. Dy përfaqësues i kemi pasur vetëm që ju ta keni mundësinë ta intervistoni ambasadorin. Çka ka dalë prej pyetje, zero. Tash na akuzoni neve?” – tha Kusari-Lila.


