Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si edhe shumë zyrtarë tjerë të shtetit ka bërë sot homaxhe në Reçak, me ç’rast ka thënë se masakra që ndodhi 24 vjet më parë është dëshmia e fuqishme në sytë e mbarë botës për gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës.
45 civilë shqiptarë, të paarmatosur u masakruan nga policia dhe ushtria kriminale e Serbisë.
“Sikur as kjo të mos mjaftonte, një varg masakrash do të kryeshin me direktivat e regjimit serb ndaj popullsisë së pafajshme e liridashëse, vetëm pse ishin shqiptarë.
Do t’i kujtojmë përherë e do të angazhohemi pandalur që Serbia të marrë dënimin e merituar për të gjitha ato krime që ka kryer, për të cilat nuk pendohet dhe të cilat i mohon.
Do të angazhohemi që brezave t’ua mësojmë mirë historinë me vuajtjet e pashembullta që populli ynë përjetoi nga kriminelët serb në periudha të ndryshme, e veçmas në atë të gjysëmshekullit të 20-të.
Do ta mbrojmë lirinë tonë të shtrenjtë duke kujtuar përherë martirët e rënë gjatë luftës për liri”, ka shkruar Haxhiu.


