Pas pritjes nga kancelari i Austrisë, Karl Nehammer dhe nderimeve nga Garda Ceremoniale e këtij shteti, kryeministri Albin Kurti dhe kancelari austriak kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media.
Kancelari austriak Karl Nehammer ka premtuar ndihmë për Kosovën për t’i bindur pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Nehammer ka thënë se Austria “do të jetë urë për të gjetur mënyrën për të bindur shtetet anëtare që të mirëpresin Kosovën në familjen evropiane”.
Ai ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për luftimin e korrupsionit, e po ashtu ka thënë se falë punëve të bëra nga viti 2024 Kosova do ta ketë liberalizimin e vizave.
“Është me rëndësi të them, se ka shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Është me rëndësi, që Austria të ndërtojë urë, të gjejë mënyrë për të bindur shtetet anëtare se është e drejtë dhe e rëndësishme të mirëpresin Kosovën në familjen evropiane”, ka thënë Nehammer.
Ai ka thënë se ekziston një bashkëpunim shumë i mirë mes policive të dy vendeve.
“Kosova është një prej vendeve që menjëherë ka ofruar mbështetje pas sulmit terrorist në Vjenë”, ka thënë Nehammer.
Ai po ashtu ka folur për projekte ekonomike, e veçanërisht për projekte në fushën energjetike.
Kancelari austriak Karl Nehammer ka theksuar se Austria është e gatshme të dërgojë trupa shtesë në Kosovë në kuadër të KFOR-it nëse kjo i kërkohet nga kjo e fundit.
Ai ka thënë se Austria është plotësisht e gatshme të ofrojë trupa nëse i kërkohet nga NATO dhe se është e gatshme të ndihmojë edhe për dialogun në çfarëdo lloj mënyrë.
“Kryeministri e ka adresuar këtë dhe Austria ofron numrin më të madh të trupave në KFOR si shtet nga jashtë NATO-s. Kemi më shumë se 300 ushtarë në Kosovë, mbështesim thirrjen e Kosovës për rritjen e trupave për siguri më të madhe dhe do të jemi të gatshëm të ofrojmë trupa mbështetës nëse KFOR-i na kërkon këtë gjë”, ka thënë ai.
“Të dyja palët kanë aftësi të deeskalojnë gjithë gjendjen. Si partnerë përpiqemi të ndërhyjmë vetëm kur është e domosdoshme”.


