Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka publikuar disa pamje ku shihet se si komandot e FSK-së stërviten në dëborë dhe kushte të vështira dimri së bashku me forcat partnere, raporton KosovaNews
Siç njofton ministri Mehaj këto stërvitje po bëhen në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke.
“Një kontingjenti i FSK-së së bashku me kolegët e forcave turke dhe forcave tjera të 8 vendeve partnere, është duke marrë pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise’23”, që mbahet në Kars të Turqisë. FSK është duke marrë pjesë me një kontingjent të përbërë me kapacitete të këmbësorisë së mekanizuar, mortajave, kërkim-shpëtimit dhe oficerë stafi”, thuhet nga Mehaj.
Ai shtoi se qëllimet e stërvitjes përfshijnë sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në operacionin e kombinuar, testimin e aftësive luftarake të trupave, rritjen e sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit, trajnimin e trupave në tema kyçe si: dislokimi, shërbimi i ushqimit, veshmbathja, furnizimi dhe aktivitetet e mirëmbajtjes, mbijetesën, si dhe funksionimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në dëborë dhe kushte të vështira dimri./KosovaNews


