Ditëve të fundit disa nga shkollat e mesme të Komunës së Ferizajt, kanë filluar organizime për ahengje të njohura gjerësisht si parambrëmje e maturës.
E për këtë dukuri tashmë është në dijeni edhe komuna Ferizajt, e cila ka reaguar.
“Ditëve të fundit, në disa nga shkollat e mesme të Komunës së Ferizajt, kemi pranuar informacione se kanë filluar organizime për ahengje të njohura gjerësisht si parambrëmje e maturës, andaj Komuna e Ferizajt, përmes këtij njoftimi, njofton drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit e veçanërisht prindërit, që organizimet e këtilla nuk janë organizime institucionale, të organizuara nga shkolla, porse janë organizime private të grupeve përkatëse të nxënësve”, thuhet në njoftimin e komunës së Ferizajt.
Përkitazi me këtë, duke mos qenë organizim shkollor, komuna tutje njofton prindërit se përgjegjësia për pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në këto organizime është përgjegjësi e tyre, e për këto informacione, Drejtoria e Arsimit, ka vënë në dijeni edhe Policinë e Kosovës në Ferizaj.
Por përveç njoftimin për prindërit nga komuna e Ferizajt nuk është thënë se çfarë masa do të ndërmerren ndaj drejtuesve të shkollave që kanë lejuar apo janë bërë pjesë e këtyre organizimeve kundër rregullave./KosovaNews



