Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që po ndodhin në veri të vendit.
Bajrami me anë të një postimi të gjatë në Twitter ka theksuar se Qeveria e Serbisë po përdorë bandat kriminale e grupet paraushtarake, të lidhura me Rusinë, për të ngritur barrikadat dhe për të sulmuar institucionet dhe Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in.
“Qeveria e Serbisë me qëllim nxit dhunën dhe rrit tensionet në veri të Kosovës. Beogradi po përdor bandat kriminale dhe grupet paraushtarake të lidhura me Rusinë për të ngritur barrikada, për të vendosur në shenjë serbët “jo-besnik”, për të sulmuar institucionet dhe Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in”, shkruan Bajrami.
Sipas tij, kjo po bëhet për të parandaluar dialogun, që mbështetet nga vendet perëndimore dhe për mbajtur larg presionin që Serbia të braktis aleancën me Rusinë.
“Qëllimi? Parandalimi i përfundimit të Dialogut të Brukselit sipas propozimit të BE-së, të miratuar nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Parandalimi i integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës; dhe Hutimi i publikut dhe mbajtjen larg të presionit Perëndimor për të braktisur aleancën me Rusinë”, thekson ai.
Government of #Serbia intentionally incites violence & raises tensions in northern #Kosovo.
— Agron Bajrami (@AgronBajrami) December 27, 2022
Belgrade uses criminal gangs & Russian affiliated paramilitary groups to set up barricades, target “disloyal” Serbs, attack Kosovo institutions, Police, EULEX & KFOR.
The aim?
?
“Lejimi (dhe udhëzimi) i medieve të kontrolluara nga shteti, çmenduria e tyre me propagandë dhe gënjeshtra për Kosovën, shqiptarët, BE-në, SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë; Hedhja e benzinës në zjarr duke folur për ‘terrorin’ shqiptarë/Kurti, ‘fushatën anti-serbe të mbështetur nga Perëndimi’ dhe ‘luftën dhe gjakderdhjen e ardhshme’; Shtimi i presionin dhe sulmeve kundër serbëve që kanë mendim të lirë; Nxitjen e gjuhës së urrejtjes anti-shqiptare në diskursin qeveritar dhe mediatik; Vendosjen e ushtrisë në gatishmëri të lartë!; Dërgimi i trupave ushtarake dhe artilerisë në kufirin e Kosovës; dhe Përshtatja e interesave ruse në Ballkan”, shton Bajrami.
Në fund, ambasadori Bajrami pohon se kërcënimi i Serbisë është kërcënim ndaj NATO-s e BE-së dhe se një Kosovë sovrane e demokratike është pengesë për influencën serbe e ruse në Ballkanin Perëndimor.
“Çfarë duhet mbajtur mend? Kërcënimi i Serbisë ndaj Kosovës është kërcënim ndaj NATO/BE; Pozicionimi gjeostrategjik i Serbisë është në mbështetje të Putinit/Rusisë; Kosova sovrane dhe demokratike (si Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria) është pengesë për dominimin/influencën serbe/ruse në Ballkanin Perëndimor; dhe Zbutja nuk do të funksionojë”, përfundon reagimin e tij Bajrami.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq.
Institucionet e Kosovës kanë thënë se Pantiq dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Që kur janë ngritur barrikadat, në veri të Kosovës janë shënuar një numër i incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri të Kosovës, duke thënë se synon të garantojë siguri për të gjithë qytetarët.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se “bandat kriminale që mbështeten nga Serbia” qëndrojnë pas barrikadave. Qeveria e Kosovës ka thënë se shteti ka kapacitete që t’i heqë barrikadat, por i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të heqë barrikadat.


