Fushata sensibilizuese për bojkotimin e produkteve të Serbisë është duke vazhduar në qytetin e Prizrenit, me ç’rast po vendosen fletushka me mbishkrimin “Bojkoto Serbinë”.
Këtë aktivitet “Asnjë cent për Serbinë!”, po e zhvillon rinia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren.
Deputeti i Kuvendit nga ky subjekt politik, Artan Abrashi tha se secili produkt i Serbisë që blihet nga ne, është një kontribut për financimin e grupeve kriminale në veri të Republikës, raporton KosovaNews.
“Duke mos i blerë produktet serbe, ne ndalim financimin ndaj vendit që edhe 23 vite pas luftës, nuk ka kërkuar falje për krimet, shkatërrimet, vrasjet e masakrat e kryera mbi popullatën civile në Kosovë. Duke bojkotuar këto produkte, ndalojmë financimet e grupeve kriminale që funksionojnë në veri të Republikës”, ka shkruar Abrashi në rrjetin social.
Thirrja e të rinjve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, është t’i bojkotoni këto produkte.
“Blini sa më shumë produkte vendore, sepse kështu ndihmojmë zhvillimin e vendit. Mbroje Kosovën, dëmto grupet kriminale që luftojnë Republikën tonë! Bojkoto barkodin 860”, thuhet nga Vetëvendosje në Prizren.




