Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e gjashtëmbëdhjetë ditë po vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara.
Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.
Policia e Kosovës ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë – Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.
Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e qetë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para tre ditësh ka ritheksuar nga Mitrovica se policia ka kapacitete dhe është e gatshme t’i largojë barrikadat, mirëpo, është në pritje të një përgjigjeje nga KFOR-i, andaj akoma nuk është vendosur për diçka të tillë.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar se pas Krishtlindjeve do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të Kosovës.
Në një konferencë për media të shtunën, Kurti tha se Qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, sepse këto nuk janë barrikada civile, por “barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të armatosur”.


