Pritjet në pikën kufitare në Merdar të shtunën kanë zgjatur deri në 5 orë. Qytetarët janë ankuar edhe për pagesën për policën e sigurimit që u kërkohet për të hyrë në Kosovë. Fluksi i mërgimtarëve që po vijnë në vend është në rritje
Rreth pesë orë kanë zgjatur pritjet në pikën kufitare midis Kosovës e Serbisë, në Merdar, të shtunën në mëngjes. Kolona të gjata veturash në këtë pikëkalim kufitar janë shkaktuar nga fluksi i shtuar i qytetarëve që janë nisur në drejtim të Kosovës, në prag të festave të fundvitit.
Qytetarët e ngujuar në kolona janë ankuar për zvarritjen e procedurave kufitare nga ana e zyrtarëve të Policisë në anën serbe të kufirit.
Disa prej tyre janë ankuar se vonesa e procedura ka pasur vetëm në kufirin Serbi-Kosovë.
“Rrugës kemi kaluar mirë, por këtu na vonuan, në atë anën andej. Jemi duke pritur prej orës 9 deri në mesditë. Në Kroaci pak se ata nuk na kanë vonuar. As në hyrjen për Serbi nuk na kanë vonuar, këtu na kanë vonuar prej orës 9”, ka thënë një udhëtar.
Gjatë katër ditëve të fundit në Kosovë kanë hyrë rreth 86 mijë 300 persona në të gjitha pikat kufitare. Ditëve të fundit vërehet fluks i shtuar, pasi të martën kanë ardhur 16 mijë persona, ndërsa të premten 9 mijë më shumë.


