Komisioni i Venecias, i ka dhënë Kosovës pajtueshmërinë e plotë për të nisur Vettingun në sistemin e drejtësisë dhe në themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Kështu kanë bërë të ditur në një konferencë të përbashkët për media, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kurti ka thënë se mungesa e drejtësisë, paraqet mungesë të të drejtave të njeriut, mungesë të investimeve dhe mungesë të të drejtave të barabarta.
“Jo rrallë herë drejtësia është sfiduar, dhe ne të gjithë jemi dëshmitar të njollosjes së sistemit të drejtësisë, edhe nga vetë gjyqtarë të korruptuar”, ka thënë Kurti, duke shtuar se rivlerësimi dhe verifikimi, nisur nga krerët e sistemit gjyqësor, do jenë hapat e parë në implementimin e procesit të Vettingut.
Kurti ka thënë se Komisioni i Venecias është bindur se reformat e propozuara nga qeveria, janë pozitive dhe do të ndikojnë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Vettingu është i domosdoshëm, po sikur edhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë gjithashtu se gjithçka që kërkohet nga qeveria, do ta dërgojnë Kuvendit në afat rekord, në mënyrë që proceset e nisur në fushën e drejtësisë të ecin me dinamikën e nevojshme.
Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë, ka konfirmuar atë që dje kishte raportuar Kosovanews, se Kosova ka pranuar nga Komisioni i Venecias konstatimin pozitiv për procesin e Vettingut dhe themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Haxhiu, ka treguar në pika të shkurtra se çfarë parasheh konstatimi i Komisionit të Venecias.
“Nga sot fillon një epokë të re”, ka thënë ajo, dhe se “Vetting do të ketë dhe atë të plotë, duke filluar nga krerët e drejtësisë”.
Haxhiu, ka thënë se si ministre e Drejtësisë do të bashkëpunoj edhe me Këshillin Gjyqësor, atë Prokurorial edhe me institucionet tjera për të përmbushur meritueshëm Vettingun dhe krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. /KosovaNews/