Policia e Kosovës njofton se të enjten në mbrëmje ka arrestuar një person, nën dyshimin se ka sulmuar bashkëshorten e tij.
Sipas njoftimit të lëshuar ditën e premte, sulmi ka ndodhur si shkak i një mosmarrëveshjeje në familje.
“Me datën 22.12.2022 rreth orës 19:30, policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në rrugën ‘’Vëllezërit Gërvalla’’ në Ferizaj ishte një rast i dhunës në familje. Në lidhje me këtë policët hetues të Njësisë së Dhunës në Familje, menjëherë i kanë marrë veprimet e nevojshme, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar personin F.T (M/K) i moshës 33-vjeçar, i cili shkak i një mosmarrëveshje në familje, kishte sulmuar bashkëshorten e tij T.Z ( F/K) e moshës 27-vjeçare. Policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.


