Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha në një reagim në rrjetin social ka thënë se mandati i KFOR-it është garantimi i sigurisë dhe jo të shqyrtojë kërkesa banale të Vuçiqit, për kthim të ushtrisë serbe në Kosovë.
Basha madje ka thënë se është ofenduese për krejt shtetin, e në veçanti viktimat e luftës!
“Mandati i KFOR-it është me garantu ambient të sigurt, ku përfshihet lëvizja e lirë e qytetarëve të të gjitha komuniteteve, por jo me shqyrtu kërkesa banale të Vuçiqit, e as me leju strukturat kriminale me mbajtë peng qytetarë serb në veriun e vendit tash e sa ditë!
Për më tepër, KFOR-i e di mirë që forcat serbe nuk kthehen n’Kosovë më, së paku jo pa luftë, dhe prandaj fakti që thotë “po e shqyrtojmë,” është ofenduese për krejt shtetin, e në veçanti viktimat e luftës!”, ka shkruar Basha në Facebook, raporton KosovaNews
Kujtojmë se sot po hyjmë në ditën e 12-të që kur u vendosën barrikadat në veriun e Kosovës, me ç’rast u mbyllën edhe dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinja dhe Bërnjaku.
Kryeministri Albin Kurti ndërkaq, sipas asaj që raportoi dje “The Guardian”, tha se “shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë mundësitë e viktimave”.
Kurti, ka shprehur shqetësimin se Rusia po nxit tensione mes shtetit të tij dhe Serbisë, për shkak të çalimit në luftën në Ukrainë, në kohën kur Beogradi ka bërë kërkesë për kthim të ushtrisë në Kosovë, ka shkruar mediumi prestigjioz “The Guardian” të martën.
Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.
Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.
Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.
Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare./KosovaNews