Një tjetër barrikadë është vendosur gjatë natës së të premtes në rrugën që shpjerë drejt Zveçanit, në veri të Kosovës. Përderisa thirrjet për heqjen e barrikadave të vendosura për tash e një javë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se ekzistojnë kapacitetet për heqjen e tyre porse për reagim, po bëhet vlerësimi i situatës
Një barrikadë e re është vendosur në veriun e Kosovës, që vazhdon t’i ketë të pakalueshme rrugët kryesore drejt pikave kufitare me Serbinë, që nga e shtuna e shkuar.
Në Policinë e Kosovës kanë konfirmuar se barrikada është vendosur gjatë natës të së premtes, në rrugën që shpjer drejt Zveçanit.
“Që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë. Dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura, siç dihet tanimë për shkak të vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale. Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare për qytetarët dhe mallra. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen ‘Berxhane’, që shpjer për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po e vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit. Policia e Kosovës, sipas mandatit të saj ligjor e kushtetues, po angazhohet në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe vendin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Që prej vendosjes, kërkesa për heqjen e barrikadave janë adresuar në vazhdimësi nga ndërkombëtarët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Kosova i ka kapacitetet për t’i larguar ato porse situata po vlerësohet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
“Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policorë që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë. Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policorë në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë. Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa. Çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura nga grupe të armatosura e kriminale është i tepërt. Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat. Veriu i vendit tonë, si çdo cep i Republikës sonë, duhet të kthehet sa më shpejt në normalitet”, ka thënë Sveçla.
Për mosveprim në drejtim të heqjes së barrikadave, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kritikuar të shtunën Qeverinë. Me anë të një postimi në Facebook, ai ka bërë thirrje që veprimi të jetë i menjëhershëm, raporton koha
“Për atë çfarë mund të bëhet sot, nesër mund të jetë shumë vonë. Kosova nuk e ka këtë komoditet. Sovraniteti i shtetit tonë po cenohet. E ardhmja jonë po rrezikohet. Kërkohet reagim i menjëhershëm. Hiqni ato barrikada të turpshme dhe dëshmojuni qytetarëve se jeni pranë tyre. Mos e braktisni Kosovën!”, ka thënë Krasniqi.
E nga Sindikata e Policisë së Kosovës, është kërkuar veprim nga institucionet dhe nga qarqet ndërkombëtare për ta mundësuar ndërrimin e zyrtarëve policorë që veprojnë në veri.
“Bllokimi i rrugëve ka hyrë në ditë në tetë dhe si pasojë është cenuar lëvizja e lirë e qytetarëve dhe e organeve të rendit, dhe zyrtarët policor në Leposaviq dhe Jarinje kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi t’ju bëhet ndërrimi, sipas rregullave për funksionim normal. Sindikata e Policisë dhe të gjithë pjesëtarët e policisë janë duke i përcjellë nga afër këto zhvillime si dhe janë shumë të shqetësuar për fatin e kolegëve të bllokuar, prandaj u bëjmë thirrje urgjente Presidencës, Qeverisë, KFOR-it, EULEX-it dhe ambasadave të QUINT-it që të bashkërendojnë veprimet dhe menjëherë të krijohen kushtet për lëvizje të lirë dhe zyrtarëve policor t’ju bëhet ndërrimi”, thuhet në kërkesën e Sindikatës.
Serbët lokalë i kanë vendosur barrikadat në veri që nga e shtuna, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovën, Dejan Pantiq, nën dyshimin se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në veri.