Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten, ka miratuar drafin e Strategjisë për energjinë 2022-2031. Kjo strategji siç u tha nga kabineti qeveritar synon të garantoj siguri energjetike dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qëllimi i Qeverisë është që kjo strategji t’i mundësojë sektorit të energjisë të shërbejë si mjet për rritjen ekonomike të vendit dhe rritjen e mundësive të bizneseve e punësimit të të rinjve.
Ai ka theksuar se Strategjia synon të zhvillojë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun panevropian që garanton siguri të furnizimit të energjisë dhe përballueshmëri për qytetarët.
“Sot kemi një nga dokumentet më të rëndësishme këtë vit, strategjinë e energjisë 2022-2031. Sigurimi i furnizimit të besueshëm me energji elektrike me kosto të përballueshme dhe të pastër është thelbësor për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenies sociale të Kosovës. Kjo strategji parasheh zhvillime të shpejta dhe bindëse të sektorit të energjisë. Strategjia synon të zhvillojë një sektor energjetik të qëndrueshëm, të integruar në tregun panevropian që garanton siguri të furnizimit të energjisë dhe përballueshmëri për qytetarët”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, ka prezantuar pikat që me këtë strategji synohen të arrihen për disa vjet.
“Deri në fund të vitit 2031 parashihet të kemi 1600 MGW kapacitete të instaluara nga burime të ripërtëritshme të energjisë. Investimet në kapacitete bazë në thëngjill janë të domosdoshme për të rritur sigurinë e furnizimit në afat të shkurtër. Bursa e përbashkët me Shqipërinë do të funksionalizohet në vitin që do hyjmë dhe bashkinvestimi në termocentralin me gaz natyror në Shqipëri tanimë është duke u shqyrtuar. Integrimi i sistemit elektroenergjetik i Kosovës në atë panevropian të energjisë planifikohet më së largu 2030””, ka theksuar Kurti.
Ndërkaq ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se kjo strategji synon të garantoj siguri energjetike dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë në Kosovë.
Gjithashtu është miratuar Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin Ligjit për Energjinë.
Rizvanolli tha se këto ndryshime do të bëhet më e lehtë që të përballohen krizat e mundshme energjetike.


