Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një video të postuar në rrjete sociale u ka bërë pyetje ndërkombëtarëve se “cilën nga gjashtë marrëveshjet e arritura ndër vite duan të respektojnë dhe se Serbia është dakord”.
Reagimi i Vuçiqit vjen pikërisht në momentin kur krerët e Kosovës kanë nënshkruar dokumentin për aplikim të vendit për anëtarësim në Bashkim Evropian.
Vuçiqi në video ka postuar edhe dokumentin e nënshkruar në Selanik për zgjerimin e BE-së me Ballkanin Perëndimor.
“Tashmë e dini se unë i kam kërkuar partnerëve tanë perëndimorë të më thonë se cilën nga pesë dokumentet e rëndësishme duan ta respektojnë: Marrëveshjen e Kumanovës, Kartën e Kombeve të Bashkuara, Rezolutën 1244, Marrëveshjen e Brukselit apo Marrëveshjen e Washingtonit”, tha Vuçiq. “Kemi ardhur te dokumenti i gjashtë shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, nga viti 2003, dokumenti i famshëm i Selanikut për zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor. Dhe pikërisht në ritën e paraqitjes së kërkesës për anëtarësim në BE të të ashtuquajturës Kosovë, pyetja ime është nëse do të respektojnë dokumentet, qoftë edhe atë historik në Selanik, pasi pika e pestë e dokumentit të Selanikut thotë se mbështet plotësisht në Rezolutën 1244. Pra, pyetja ime nga sot është, cilën nga këto gjashtë dokumente dëshironi të respektoni dhe ne do të jemi plotësisht dakord”.
Vuçiqi sot do të presë në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Pas takimit me Lajçakun do të mbajë edhe takim trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajçak e Escobar të martën patën takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e po ashtu me komandantin e KFOR-it dhe krerët e EULEX-it.
Vuçiqi ka njoftuar se të enjten do të bëjë kërkesë zyrtare te KFOR-i për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.


