Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Gjikolli, pas ndarjes nga jeta të drejtorit menaxhues të Telegrafit dhe artistit, Arlind Gjikolli – Gjikla.
Osmani ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, komunitetin kulturor dhe medial.
Ajo tutje ka theksuar se tashmë i ndjeri Arlind Gjikolli ka lënë gjurmë jo vetëm në botën e muzikës, por edhe në atë të medias.
“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë për përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Arlind Gjikollin!”, thuhet ndër të tjera në letër.
Drejtori menaxhues i Telegrafit dhe artisti, Arlind Gjikolli – Gjikla, u nda nga jeta mbrëmjen e së hënës (5 dhjetor), në moshën 41-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.


