Zyra e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut raportohet të jetë sulmuar nga persona të panjohur gjatë pasdites së sotme.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, deklaroi për KosovaNews se janë në pritje të njoftimeve për situatën nga zyrtarët komunalë të zgjedhjeve.
Ai tha për KosovaNews zyrtarët kanë shkuar në zyrat e tyre të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, nën përcjelljen e Policisë, por ushtrimi i detyrës zyrtari s’ka qenë i mundur.
“Jemi në pritje të njoftimeve nga Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve të cilët gjatë ditës së sotme, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës kanë shkuar në zyrat e tyre, në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur. Në këto raporte do të sqarohet situata e krijuar. KQZ-ja është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet tjera. Lidhur me situatën e krijuar, KQZ-ja do të mbajë mbledhje, sot, me fillim në orën 18:00”, deklaroi Elezi.
Më 18 dhjetor pritet të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash në këto komuna. Në zgjedhje nuk do të marrë pjesë Lista Serbe e cila ka udhëhequr me komunat deri në dorëheqjen kolektive, pas vendimit të Qeverisë për ndëshkim të pronarëve të veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.