Policia e Kosovës njofton se të hënën ka arrestuar një të dyshuar për blerjen e një sasie të arit që dyshohet se është vjedhur në Mitrovicë më 3 nëntor të këtij viti.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se N.H., 49-vjeçar kishte blerë stolitë e arit në vlerë prej mbi 12 mijë euro që janë vjedhur në një shtëpi në Mitrovicë.
Bëhet e ditur se bashkë me arin, ishin vjedhur edhe më shumë se 1 mijë euro.
“Pas një pune intensive hetimore nga ana e hetueseve të Sektorit Rajonal të Hetimeve, me datë 05.12.2022 mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale’, është arrestuar i dyshuari N.H., 49 vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës. Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është kontrolluar një lokal argjendarie në Mitrovicë ndërsa pas kontrollit janë sekuestruar stolitë e arit, të cilat dyshohen se ishin vjedhur me datën 03.11.2022 dhe janë blerë nga i dyshuari’”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet e drejtësisë.


