Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të takohet me përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi pritet të nis në ora 09:00, dhe kjo është konfirmuar nga Zyra për Komunikim Publik nga Qeveria e Kosovës.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák”,thuhet në njoftim, transmeton lajmi.net.
Ndryshe Lajçak sot ka zhvilluar takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim, Lajçak theksoi se është diskutuar për të pagjeturit, dialogun si dhe kthimin e përfaqësuesve serb në institucionet e Kosovës.
“Në Beograd sot diskutova rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve si vazhdim i takimeve të fundit të dialogut. Ne folëm edhe për çështje aktuale, duke përfshirë edhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucione të Kosovës, Udhërrëfyesin e Energjisë si dhe personat e zhdukur”,deklaroi Lajçak.
Pas zhvillimeve të shumta në veri të Kosovës dhe dorëheqjeve të njëpasnjëshme të përfaqësuesve serb në institucionet e Kosovës, nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kërkuar vazhdimisht që çdo situatë e krijuar në mes dy shteteve të zgjidhet përmes dialogut.


