Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu e ka pritur të henën në takim ndihmës administratoren e USAID-it, Erin E. McKee.
McKee pas takimit ka thënë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër, është mënyra më e mirë për përmirësim të raporteve mes fqinjëve.
“Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër është mënyra më e mirë që ti ndihmojë Kosovës t’i përmirësoj raportet e saj me vendet fqinje dhe në këtë mënyrë edhe të zë vendin e vet në mesin e vendeve tjera në kuadër të integrimeve evropiane”, ka thënë McKee.
Ambasadorja e USAID-it, shtoi se ata do të jenë këtu për të gjitha vendet e rajonit.
“Ne do të jemi këtu për të gjitha vendet e rajonit, që të krijojmë një mjedis ku të rinjtë nuk do ta shohin më të ardhmen jashtë atdheut të tyre”, tha McKee.
Kurse pas takimit, Osmani ka shprehur mirënjohjen për USAID-in për kontributin e dhënë në fusha të ndryshme në Kosovë.
“Ne ju jemi mirënjohës që edhe vendi ynë ka qenë përfitues i shumë projekteve që janë mbështetur nga populli amerikan. Në emer të popullit të Kosovës, natyrisht që falënderimi është i madh për këtë kontribut të popullit amerikan. USAID-i ka kontribuar me më shumë se 1 miliardë dollarë në forcimin e intitucioneve të Kosovës, në demokratizimin e vendit tonë, në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse, e në shumë fusha të tjera, që përfshinë edhe luftimin e krimit dhe korrupsionit”, u shpreh ajo.
Presidentja Osmani bëri të ditur se në takim me McKee ka kërkuar mbështetje në përpjekjet për eliminimin e dhunës në baza gjinore.
“Sot diskutuam edhe për fushat e tjera të bashkëpunimit dhe më konkretisht kërkova mbështetje për përpjekjet tona për eliminimin e dhunës në baza gjinore dhe natyrisht që jam shumë e lumtur që mora përgjigje pozitive nga ana e USAID-it për përkrahje në këtë drejtim për ta luftuar këtë dukuri e cila për fat të keq është shndrruar në pandemi anë e kënd globit”, u shpreh tutje ajo.