Vazhdojnë ndeshjet dramatike në Kupën e Botës në Katar. Koreja e Jugut të premten fitoi 2:1 ndaj Portugalisë për të bërë vend në fazën nokaut të Botërorit.
Golin e fitores, jugkoreanët e shënuan në minutën e 91-të. Ishte superylli korean, Heung-min Son që vrapoi në kundërsulm. Ai pasoi për Hwang Hee-chan që shënoi golin e festës së madhe.
Koreja e Jugut ka përfunduar e dyta në grupin H me katër pikë, sa i ka edhe Uruguai në pozitën e tretë. Por Koreja e Jugut avancon pasi ka shënuar më shumë gola. Koreja e Jugut ka katër gola të shënuar e katër të pranuar. Uruguai ka dy gola të shënuar e dy të pranuar dhe mbetet i treti.
Grupin e ka fituar Portugalia me gjashtë pikë, falë fitoreve në dy ndeshjet e para.
Cristiano Ronaldo ka startuar te Portugalia dhe luajti deri në minutën e 65-të. Por Ronaldo sërish dështoi të shënoi gol.
Ricardo Horta kaloi Portugalinë në epërsi në minutën e pestë. Rezultatin në 1:1 e barazoi Kim Young-gwon në minutën e 27-të.