Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar paraditen e së mërkurës për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
E këtë e ka quajtur si një hap të rëndësishëm që është hedhur sot drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
“Mirëpresim dakordimin mes ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, për ta kaluar procesin drejt fazave të radhës, deri në vendimin final. Ka qenë një proces i gjatë i takimeve konsultative me vendet skeptike, ku kemi marrë burimin e problemit. E kemi trajtuar atë dhe theksuar se vendi ynë gjatë vitit të fundit ka shënuar progres madhor në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migrimit. Puna, përkushtimi dhe angazhimi në këtë proces, u riafirmua sot dhe nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, ka shkruar Bislimi në rrjetin social.
Pas shumë viteve ngecje e pritjeve të tejzgjatura, çështja e liberalizimit të vizave ecën tutje në procedurat e vendimmarrjes në institucionet e BE-së, ku faza e radhës është ajo ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian.
Beslimi tha se edhe nga ky mekanizëm presin që procedurat të kalohen shpejt dhe të kthehen në Këshillin e Ministrave për vendimin final.
“Falënderues ndaj Presidencës së Çekisë të Këshillit të BE-së, për vëmendjen e tyre të veçantë dhe përkushtimin në shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave, si dhe të gjitha shteteve anëtare që e kanë mbështetur aktivisht Republikën e Kosovës në këtë proces”, ka shkruar Bislimi.
Sipas vendimit të sotëm, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është 1 nëntori i vitit 2023.
Por, në rast se do të ketë vonesa për këtë sistem, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024./KosovaNews


