Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i domosdoshëm korrigjimi i gabimit të shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, sa i përket takimit të së hënës në Bruksel, ndërmjet tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kurti ka thënë se Borrelli bëri gabim duke e braktisur bisedën për korrigjim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, e duke u munduar të gjendet vetëm një zgjidhje për targat.
“Nuk është koha të flasim për shtyrje të tjera. Ne jemi optimist dhe besoj që korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm. Është gabim i madh që të braktiset biseda për korrigjim të marrëdhënieve e liderët të flasin e dakordohen për targa, për të cilat dorën në zemër as unë në Kosovë e as ai në Beograd nuk jemi personat përgjegjës”, ka thënë Kurti për gazetarë gjatë një vizite të martën në Prizren.
Kryeministri Kurti, ka thënë se nuk ka komunikuar me kryediplomatin evropian, Josep Borrell pas shtyrjes së vendimit për gjobat rreth targave për 48 orë.
I pari i qeverisë para mediave tha se ShBA-të janë në kontakt me Brukselin, dhe falënderoi ambasadorin amerikan Jeff Hovenier, për përkushtimin dhe angazhimin e tij në këtë çështje.
“ShBA-së sidomos ambasadori Jeff Hovenier është i përkushtuar dhe i angazhuar dhe e falënderoj për këtë. Roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv e kreativ. Tash ai po i bën përpjekjet maksimale, ShBA sidomos Hovenier, ata janë në kontakt me Brukselin. Që prejse ka përfunduar takimi i fundit në kuadër të bisedimeve tetëorëshe, unë nuk kam komunikuar me zëvendës presidentit e Komisionit Evropian, Josep Borrell, i cili me keqardhje ritheksoi e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian duke thënë le ta kemi një dakordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat”, tha Kurti
Ai po ashtu ka thënë se nuk mjafton dakordimi vetëm për targat, derisa ka shtuar se gjatë takimit të së hënës, ai ishte dakord që gjobitja lidhur me targat të pezullohej në kërkim të një zgjidhjeje për normalizim të plotë të marrëdhënieve.
“Që prej se përfundoi takimi i djeshëm në kuadër të bisedimeve tetë orëshe që kemi pasur dje unë nuk kam komunikuar më Josep Borrell i cili me keqardhje ritheksoj e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e BE-ë duke thënë le ta kemi një dakordim për targat. Nuk mjafton dakordimi për targat ndonëse aty unë ka, qen më dakord që faza e dytë të pezullohet në kërkim të një zgjidhjeje sa i përket normalizimit të plotë të marrëdhënieve deri në marsin e vitit 2023. Pra ti japim shans pa gjoba marrëveshjes por jo vetëm për targa e ta flakim tutje çështjen e bisedimeve për marrëveshje përfundimtare. Në anën tjetër Serbia është zotuar që nuk do të lëshojë më aso targa të kohës së Millosheviqit”, është shprehur Kurti.


