Reforma në administratë publike është pjesë thelbësore e reformave të planifikuara në programin e Qeverisë së Kosovës. Kështu ka deklaruar kryeministri Albin Kurti, në konferencën vjetore të organizuar nga Ambasada Britanike, në kuadër të projektit “Rekrutimi i pavarur, i përgjegjshëm, meritokratik dhe profesional në Kosovë”.
Ai tha se është besim e qëndrim se një administratë publike “besnike ndaj shtetit, e ndershme, e shkolluar dhe e përgatitur, me efikasitet më të lartë, është parakusht për politika të përmbushura zhvillimore”.
Në fjalën e tij, kryeministri ka theksuar se reformimi i administratës publike është dhe parakusht për hapat avancues të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai po ashtu ka theksuar se qeveria është e përkushtuar që reforma dhe rrjedhimisht administrata që po ndërtojmë të jenë të bazuara mbi disa parime që respektohen gjerësisht nga vendet demokratike dhe të zhvilluara.
‘’Një administratë joefikase shkakton ngecje më pastaj në ofrimin e shërbimeve publike për nga cilësia, për nga sasia, shkakton gjithashtu edhe ngecje edhe në zhvillimin e proceseve të reformave në sektorët e tjerë’’, ka shtuar kryeministri Kurti.
Kryeministri po ashtu ka veçuar dokumentet strategjike që trajtojnë këto çështje.
“Plani për zhvillim kombëtar, bashkimi i tri strategjive për administratë publike në një të vetme dhe hartimi i saj për periudhën 2022-2027, hartimi i strategjisë për e-qeverisje e hartimi i strategjisë për siguri kibernetike janë ndër të tjera veprime esenciale të cilët tashmë i kemi ndërmarrë”, ka përmendur Kurti.
Shefi i ekzekutivit kosovar tha se Ministria e Punëve të Brendshme ka rishikuar rrënjësisht Ligjin për zyrtarët publikë dhe ka hartuar nga fillimi Ligjin për paga në sektorin publik, për t’iu përshtatur aktvendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri falënderoi të gjithë partnerët që janë duke përkrahur Qeverinë për këto reforma përmes projekteve e ekspertizës, duke shtuar se bashkëpunimi është padyshim komponentë shumë e rëndësishme në gjithë këtë proces.
Siç deklaroi shefi i ekzekutivit, qeveria mbetet e përkushtuar për të siguruar sa më shumë punë dhe drejtësi, administratë bashkëkohore, “besnike ndaj shtetit, e shkolluar në nivele sipërore, e shkathtë, me përgjegjshmëri e me ndershmëri”.
‘’Kjo është bazë e domosdoshme për t’i mbërritur synimet tona të gjithë së bashku”, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.


