Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër (e hënë) do të takohen në Bruksel për të gjetur një zgjidhje për situatën aktuale.
Kurti do të udhëtoj sot për në Bruksel, kanë konfirmuar nga Qeveria e Kosovës.
“Kryeministri Kurti udhëton sot për në Bruksel, ndërkaq takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiq është konfirmuar për nesër, ditë e hënë”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Mësohet se takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit me ndërmjetësimin e BE-së do të mbahet në orët e paradites.
Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parasheh gjobë prej 150 euro.
Që nga 1 nëntori kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur.
Plani i Qeverisë parasheh që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa të Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.
Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – që nga paslufta, më 1999.
Shumica e serbëve në veri për shkak të ndikimit të Beogradit dhe bandave kriminale që po ushtrojnë presion nuk po guxojnë të marrin targat që i lëshon Republika e Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e Qeverisë së Kosovës, nga 5 nëntor serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.


