Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur të premten se janë ndryshuar disa kritere për qytetarët që duan të aplikojnë për subvencionim të pajisjeve efiçente të energjisë.
Rizvavolli në një konferencë për media ka thënë se pas shqetësimeve të qytetarëve, është vendosur që të ndërhyhet në disa kritere.
“Tani në thirrjen e dytë përveç kritereve që kanë qenë janë edhe ndryshimet në vijim. Qytetarët që janë në skemën sociale, është rritur subvencioni për inventer nga 40% me maksimum 400 euro, deri në 60% të vlerës ose jo më shumë se 550 euro. Për stufat individuale me biomasë dhe për klimat inventer, këtyre kategorive do të mundësohet që të aplikojnë me profaturë. Jemi në komunikim me komunat dhe qendrat sociale, në mënyrë që qendrat për punë sociale të shohin mundësitë për t’u ofruar mbështetje qytetarëve gjatë aplikimit ne e-Kosova. Për nënat vetushqyese kemi paraparë subvencion më të lartë për stufat individuale me biomasë deri në 90% e vlerës investime jo më shumë se 560 euro”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo ka bërë të ditur se afati për aplikim në fazë e parë është i hapur nga sot, 18 nëntor 2022 deri më 25 nëntor 2022, ndërsa afati i fundit për fazën e dytë është 9 dhjetor 2022.
Sa i përket aplikimeve në thirrjen e parë të 6 tetorit, Rizvanolli ka bërë të ditur se kanë aplikuar 5,992 qytetarë, prej të cilëve në fazën e dytë kanë aplikuar 2,377 qytetarë.
“40% e atyre që kanë aplikuar në fazën e parë e kanë vazhduar aplikimin në fazën e dytë. Do të finalizohen 2,228 marrëveshje, pra 2,228 qytetarë kanë përfituar, duke arritur vlerën prej 1,435,800 euro”, ka bërë të ditur Rizvanolli.


