Sot, policët e EULEX-it filluan të patrullojnë veriun në këmbë, kryesisht për të treguar praninë e tyre në vakuumin e sigurisë, por ata nuk mund ta marrin rolin e Policisë së Kosovës, tha për Kossev, kreu i EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark.
“Rreth 135 policë të EULEX-it punojnë me turne në rajonin e Veriut. Prandaj ata nuk angazhohen përnjëherë në këtë numër, por punojnë me turne, para së gjithash kryejnë patrullime mobile, e nga sot kemi filluar edhe me patrulla këmbësore në Mitrovicë dhe në vende të tjera, për të treguar se ne jemi të pranishëm atje si polici”, tha Wigemark.


