Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se zgjedhjet lokale të shpallura në veri të Kosovës, janë vazhdimësi e dhunës ligjore dhe institucionale ndaj serbëve.
Ai deklaroi të martën se ky vendim u mor njëanshëm “në prag të festës së Krishtlindjeve”, derisa shtoi se me këtë është shkelur Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri janë përpjekje e re e Prishtinës “për të pushtuar veriun”, derisa theksoi se “Prishtina nuk do të mund t’i frikësojë serbët e larguar nga institucionet me asnjë shantazh apo kërcënim”.
“Zgjedhjet për komunat serbe, pa serbë, nuk kanë kuptim dhe si të tilla janë të dënuara me dështim. Kjo është një tentativë e re e Prishtinës për ta pushtuar veriun ‘e Kosovës dhe të Metohisë’, duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor, në një kohë kur me veprimet e tyre të njëanshme dhe të paligjshme, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe pasardhësit e tyre, po rrisin edhe më tej tensionet”, thuhet në komunikatën e tyre.
Sipas Petkoviqit, Prishtina kurrë s’ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës.
Të hënën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori vendim që zgjedhjet në veri të mbahen më 18 dhjetor.


