Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se kanë bërë një propozim për të zgjidhur situatën në veri, të krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Borrell para nisjes së takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së, tha se propozimi i Bashkimit Evropian duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë.
“Kosova dhe Serbia më kanë mbajtur të zënë. Këtë fundjavë në Paris takova kryeministrin Kurti e presidentin Vuçiq. Jemi të pakënaqur në prag të një krize tjetër. Duhet të dalim nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkojmë një qasje drejt zgjidhjes. Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më është dashur t’iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve të kaluara për të cilat kanë rënë dakord shumë vite më parë dhe jemi duke kërkuar një zgjidhje”, tha ai.
Ndryshe situata në veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës.


